Me kërkesë të avokatit, anulohet seanca për vrasjen në Dumnicë të Podujevës
Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Salihu, avokatit Nasuf Hasani, është anuluar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vrasjen e S.S., në Dumnicë të Podujevës.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejësi”
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Hasani tha se për shkaqe familjare ka pasur udhëtim jashtë shtetit dhe se për këtë rrethanë e ka njoftuar Gjykatën.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së./Indeksonline/

