75 Mall Live Search
11:25 / E Premte, 16 Maj 2025 / k.v

Me kërkesë të avokatit të palës së dëmtuar, shtyhet seanca ndaj ish-zyrtares së BE-së e akuzuar për korrupsion

Me kërkesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar (Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë), Leutrim Syla, është shtyrë edhe seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-zyrtarja e BE-së, Albina Nura, po akuzohet për korrupsion.

Në seancë ishte avokati Lutrim Syla, i cili kërkesën për shtyerje të seancës e bëri me arsyetimin se në të njejtin orar ka caktuar seancë në rastin e njohur si “Gylenistët”, ku i akuzuar është Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Sipas avokatit Syla në këtë seancë është paraparë dëgjimi shtetasve turq të dëbuar – në cilësinë e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”

Lidhur me kërkesen e avokatit Syla u pajtuan edhe palët në procedurë, prokurori i rastit Naim Abazi dhe mbrojtësi i të akuzuares Nura, avokati Kujtim Kerveshi.

Aktakuza ndaj Nurës ishte ngritur më 18 maj 2021, në të cilën thuhet se ajo i kishte shkaktuar dëm buxhetit të BE-së 500 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Konflikt i interesit”.