75 Mall Live Search
11:41 / E Hënë, 25 Nëntor 2019 / C E

Klubet kosovare, me kushtet aktuale,VAR-in mund ta shohin vetëm në “ëndërr”

Teknologjia është bërë pjesë e domosdoshme e futbollit, ku ligat më të forta në botë po e aplikojnë vitet e fundit.

Video asistenti po mendohet që të provohet në Kosovë dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejtë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se sistemi VAR, do të instalohet në Superligën e Kosovës në sezonin e ardhshëm ose në atë 2020-21.

Por gazetarët e sportit, në Kosovë, mendojnë se është herët që një gjë e tillë të ndodhë, pasi që stadiumet e Kosovës nuk i plotësojnë kushtet elementare për teknologji.

Avni Shabani thotë se një sistem i tillë është i nevojshëm të përdoret në Kosovë, duke i marrë parasysh disa vendime të kontestueshme që janë marrë.

Edhe pse stadiumet e Kosovës nuk i plotësojnë kushtet për VAR-in, Shabani ka thënë se dhoma e referëve mund të vendoset në zyra të Federatës…

Aplikimi i sistemi VAR, kujtoj se është më se i nevojshëm, kur dihet se në çdo javë siç ishte edhe kjo e fundit (16), po ndodhin disa situata të dyshimta, të cilat me ndihmën e VAR-it do të eliminoheshin dhe skuadrat nuk do të dëmtoheshin! Mirëpo për të fillu me zbatu këtë Sistem kujtoj bashkohor, lipsen me u kriju kushtet përkatëse për aplikimin e tij nëpër Stadiume dhe duhet siguru një vend të veçantë për “dhomën e VAR-it”, ngase personat kompetentë edhe mund të sulmohen edhe fizikisht pas ndonjë vendimi që ndaj klubi nuk do t’i pëlqente! Pra kujtoj se ajo dhome duhet të jetë larg stadiumeve, fjala vjen mundë të jetë edhe në lokalet e FFK-së, pse jo!?“, ka thënë Avni Shabani.

Pra duhet ecur me kohën padyshim, por kisha shfrytëzu rastin të kërkoj edhe kushte normale për ne Reporterët për t’i trasmetu ndeshjet, si për TV ashtu edhe Radio, ngase ato për momentin lënë shumë për të dëshiruar!“, shtoi gazetari Shabani.

Që VAR-i nuk mund të funksionojë për momentin në Kosovë mendon edhe gazetari Kushtrim Krasniqi.

Ai ka thënë se kamerat nuk kanë pamje të mirë dhe gazetarët dhe kameramanët janë së bashku me tifozët në po të njëjtin vend.

Sipas Krasniqit vetëm “Fadil Vokrri” i plotëson kushtet për ta instaluar teknologjinë.

Si mund të ekzistojë VAR-i tek ne kur në shumë stadiume nuk kemi vend për të xhiruar ndeshjet. Kameramani duhet të qëndrojë bashkë me tifozët, të cilët kur shënohet goli ua mbulojnë edhe pamjen. Në shumë stadiume nuk ka internet, e as vend të posaçëm për gazetarët. Marrë parasysh këto, VAR-i momentalisht mund të funksionojë vetëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse për të funksionuar 100  për qind në ndeshjet e Superligës, duhen së paku edhe tri vjet”, ka thënë Krasniqi.

Florim Maliqaj thotë se VAR-i duhet fillimisht të testohet në “Fadil Vokrri” për t’i hapur rrugë që pas 2-3 vjetësh të instalohet edhe nëpër stadiume të tjera.

Ai ka thënë se rregullimi i infrastrukturës duhet të jetë primare për FFK-në pasi që për teknologjinë ka kohë që të bëhet në vitet e ardhshme.

Sistemi VAR është përmendur në vitin e kaluar dhe për këtë kam pasur edhe një storie. Madje, disa persona nga FFK kanë qëndruar jashtë vendit për të marr informacione të detajuara për këtë proces. Ideja është që fillimisht sistemi të vendoset në  stadiumin “Fadil Vokrri”, pra të jetë dhoma e VAR-it aty. Kjo do të bëhet fillimisht për ndeshje ndërkombëtare, pra në ato gara ku ka VAR e ku Kosova është e obliguar ta ketë dhomën e këtij sistemi. Sa i përket Superligës së Kosovës, nuk bëhet fjalë që të ketë sistem VAR në 2-3 vjetët në vazhdim. Stadiumet janë në gjendje aspak të mirë, ku nuk ofrojnë kushte aspak të mira as për zhvillimin e ndeshjeve. FFK-ja në bashkëpunim me shtetin, UEFA-n dhe klubet duhet të merret më shumë me rregullimin e infrastrukturë se sa të mendoj për këtë sistem në këtë kohë. Asnjë vend në rajon nuk po e aplikon VAR-in përveç shteteve të mëdha. Sigurisht, do të ishte i mirëseardhur, për të  evituar gabimet e gjyqtarëve, të cilat në disa raste mund të jenë vendimtare për epilogun e ndeshjes“, ka thënë Maliqaj.

Kujtojmë se asnjë nga vendet e rajonit nuk e praktikon aktualisht sistemin VAR, derisa ligat e mëdha evropiane e kanë instaluar vitet e fundit. /IndeksOnline/