“Më mirë t’isha unë në vend të saj”/ Polici pranon fajësinë për aksidentimin e Zana Gjevukajt

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Argjend Kastratit, i dyshuar për shkaktikin e aksidentit që përfundoi me fatalitet për 26-vjeçaren, Zana Gjevukaj.
Aktakuza u ngrit më 11 qershor, teksa Kastrati, zyrtar policor, deri më tani ishte nën masën e arrestit shtëpiak.
Gjyqtarja Blerta Kelmendi hapi seancën e shqyrtimit fillestar, duke ftuar prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri të lexojë aktakuzën.
Sipas aktakuzës, Kastrati ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, për të cilën ai shfrytëzoi të drejtën për t’u konsultuar me avokatin.
“Unë e ndjej veten fajtor dhe shpreh pëndesë për rastin. Dua t’i kërkoj falje dhe ngushëllime familjarëve të të pandehures dhe të gjithë personave që janë prekur nga ky rast. Më mirë të kisha qenë unë në vend të saj sot. Shpreh keqardhje shumë të madhe” deklaroi Kastrati.
Familjarët e Zanës u dakorduan me pranimin e fajësisë, teksa prokurorja e rastit propozoi që Kastrati të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Avokati i familjes Gjevukaj, Milot Neziraj, i propozoi Gjykatës të marrë në trajtim edhe rrethana të tjera, si shkaktimin e aksidentit në pjesë të rrugës së shenjuar si vendkalim për këmbësorë, paralajmërimin e shenjave të kufizimin e shpejtësisë, tejkalimi i shpejtësisë, që është në nivelin e gjysmës së shpejtësisë së lejuar në atë zonë, dukshmërinë e mirë, dhe faktin se nuk ka pasur pëngesa që mund të kenë penguar të pandehurin të ndalojë.
Sipas avokatit, viktima Zana Gjevukaj u nis të kalojë rrugën vetëm pasi i sigurua se mund të kalojë rrugën, sidomos pasi mori përparësi kalimi nga vetura në anën e djathtë, për t’u goditur çaste më vonë.
Me kërkesë të familjes, Gjykata u njoftua se nuk pranohet kërkimfalja nga ana e të pandehurit, për shkak se ai dhe familjarët e tij nuk kanë treguar vetpërmbajtje në veprimet e tyre.
Avokati Neziraj kërkoi që Kastratit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe të lihet në fuqi deri në aktvendim të plotë.
Gjevukaj u godit me veturë nga Kastrati në Qyshk të Pejës më 1 prill të këtij viti, për të ndërruar jetë një muaj më vonë, më 4 maj./IndeksOnline/