Me ndihmën e AI, Google Gemini lexon dokumentet tuaja me zë

Përdoruesit e Google Docs do të kenë mundësinë të përshtatin zërin dhe shpejtësinë e riprodhimit të përmbajtjes për Gemini AI.
Dokumenti do të mund të gjenerohet në version audio me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke lejuar personalizimin e rezultateve zanore përmes zërave të ndryshëm dhe shpejtësive të riprodhimit, njofton Google.
Kjo veçori nuk është e destinuar vetëm për krijuesin e dokumentit. Lexuesit mund të kenë qasje në audion e gjeneruar nga AI në një dokument të shpërndarë, duke zgjedhur menynë rënëse “Tool” dhe pastaj skedën “Audio > Listen to this”.
Autorët gjithashtu mund të shtojnë një buton të personalizueshëm për audio direkt në dokument, përmes opsionit “Insert > Audio”, mbi të cilin lexuesit mund të klikojnë për të filluar dëgjimin.
Në prill, Google kishte njoftuar planet për t’ju lejuar përdoruesve të kthenin dokumentet në podkaste me ndihmën e AI, por ky funksion duket më i dobishëm për ata që thjesht duan të dëgjojnë atë që kanë shkruar.
Për momentin, versionet audio të dokumenteve mund të gjenerohen vetëm në gjuhën angleze dhe vetëm në pajisje desktop. Funksioni është i disponueshëm për përdoruesit e Workspace me plane biznesi, sipërmarrëse ose arsimore, si dhe për ata që kanë abonimet AI Pro dhe Ultra.