Më pak martesa gjatë pandemisë në Kosovë, por edhe më pak shkurorëzime

Pandemia COVID-19, e cila ka prekur mbarë botën, këtë vit ua prishi planet edhe shumë çifteve, të cilët kishin vendosur të kurorëzonin dashurinë e tyre.
Shumë prej tyre u martuan pa dasma, e disa të tjerë vendosën që ta shtynin për vitin e ardhshëm.
Por pandemia gjithashtu ka ndikuar edhe në rënie të numrit të shkurorëzimeve në vendin tonë.
Sipas raportit “Buletini tremujor T2”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë u shkurorëzuan 114 çifte, kurse u martuan 5 mijë e 633 kosovarë.
Në janar sipas këtij raporti 1 mijë e 882 persona i dhanë fund beqarisë, kurse 57 çifte u shkurorëzuan.
Në shkurt prapë pati martesa të shumta, ku 1 mijë e 515 persona kurorëzuan martesën e tyre, kurse numri i divorceve në këtë muaj ishte më i vogël, vetëm 17.
Muaji mars, po ashtu e gjeti Kosovën me një numër të madh të kurorëzimeve, ku u martuan 1 mijë e 698 çifte, kurse 37 të tjerë vendosen t’i jepnin fund martesës së tyre.
E nga prilli deri në qershor pati rënie të numrit të shkurorëzimeve.
Në prill nuk pati asnjë të shkurorëzuar, kurse martesa ishin 78. Në maj u shkurorëzuan vetëm dy çifte, kurse u martuan 281 sish. E në qershor u martuan 179 çifte, kurse u divorcua vetëm 1 çift.
Bazuar në raportin për tremujorin e dytë të vitit 2019 të publikuar nga ASK-ja, vjet nga 1 janari e deri në qershor janë kurorëzuar 9 mijë e 27 çifte, derisa numri i shkurorëzimeve ka qenë 320.
