Me sa vjet burgim mund të dënohen tre serbët e Banjskës? Flet avokati i njohur

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë një ditë më parë është mbajtur seanca fillestare ndaj tre prej 45 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.
Avokati i mirënjohur, Arsim Vranovci, njëkohësisht anëtar i Shoqatës Evropiane të Avokatëve (Association of European Attorneys), është deklaruar lidhur me rastin e tre personve të kapur për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë. Ai ka folur edhe lidhur me atë sa sa vite burgim mund të dënohet të dyshuarit për vepren që kanë kryer.
“Bazuar në informacionin e publikuar nga Prokuroria Speciale, ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: kryerja e veprës terroriste dhe vepër e rëndë penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë dhe ajo kundër tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Këto vepra penale hyjnë në grupin e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, të parapa me Kapitullin XIV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Normalisht, deri në fund të procesit mund të ketë edhe ndryshime, mirëpo bazuar në informacionin që është në dispozicion për këto vepra, p.sh. sipas Neni 129.3 të Kodit Penal, dënimi për veprën penale të terrorizmit kur rezulton me vdekjen e një ose më shume personave mund të dënohen me burgim të përjetshëm dhe jo më pak se 15 vite burgim. Për veprën kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, mund të dënohet me burgim të përjetshëm dhe jo më pak se 10 vite burgim. Për veprën penal Rrezikimi i tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, sipas Nenit 118 të Kodit Penal nuk mund të dënohen më pak se 5 vite me burg”, ka thënë ai.
Ndërsa thotë se ata mund të dënohen dhe me burgim të përjetshëm.
“Nëse provohet se janë kryer gjitha këto vepra, duke pasur parasysh edhe rregullat për matje të dënimit, mendoj që të akuzuarit për sulmin në Banjskë mendoj se do të dënohen me burgim të përjetshëm. Përndryshe, varësisht nga procesi final, nuk besoj assesi që të jetë dënim më i vogël se 25 vite burgim në rastin më të keq”, ka thënë Vranovci..
Prokuroria Speciale sipas tij ka bërë një punë të mire dhe se provat janë më se të mjaftueshme, që të njëjtit të marrin dënimin më burgim të përjetshëm.
“Sipas mendimit tim, dënim ky më se i merituar por i mbetet gjykatës te vendos mbi lartësinë e dënimeve për këta te akuzuar dhe te tjerët”, ka thënë ai.