16:48 / E Mërkurë, 01 Maj 2024 / MSH

“Më shumë respekt, ju lutem! Pioli duhet konfirmuar”, legjenda kuqezi i prerë

Arrigo Sacchi, legjenda e kuqezinjve të Milanit, vazhdon të ngulmojë në lidhje me konfirmimin e Stefano Piolit. Trajneri emilian është me valixhe gati, pasi drejtuesit e “Djallit” duan të ndahen me të në fundin e sezonit.

Gjithashtu edhe tifozët, të cilët kërkojnë shkarkimin e tij, por ndryshe mendon Sacchi. I cili vijon të insistojë duke kërkuar që të vlerësohet puna e mirë që Pioli ka bërë me Milanin sipas tij.

“Unë mendoj se aventura e tij në pankinën e Milanit ka qenë pozitive, kështu që pse të mos konfirmohet në drejtim të skuadrës? Ai fitoi një titull kampion, me klubin që kishte shpenzuar më pak se rivalët.

Në atë rast i mahniti të gjithë dhe e zbaviti publikun. Ndërkohë që këtë sezon është i dyti në kampionat. Do të thotë që vetëm Interi ka bërë më mirë”, thekson Sacchi, i cili vijon me logjikën e tij.

“A mund të më përgjigjeni: lojtarët e afruar në merkato i kërkoi të gjithë Pioli apo u zgjodhën nga drejtuesit? Trajneri meriton respekt për atë që i ka dhënë Milanit dhe për mënyrën se si u soll.

Nuk mendoj se konfirmimi i tij është një hap pas. Ai është një trajner që ka qenë në gjendje të përmirësohet me kalimin e kohës. E vërtetë, edhe ka gabuar, por është njerëzore të gabosh.

Lexoj emra si Lopetegui, Fonseca, Galtier, Gallardo, Tedesco, Van Bommel apo De Zerbi për pasuesin e Piolit. Nëse për një futbollist të huaj është e komplikuar të përshtatet në Itali, për një trajner është edhe më shumë”, deklaroi Sacchi.