13:01 / E Enjte, 26 Janar 2023 / AR

Më shumë se një muaj, Gjermania nuk i kthen përgjigje Sveçlës për pasaportat

Tash e disa muaj Ministria e Punëve të Brendshme nuk është duke lëshuar pasaporta për qytetarët e Kosovës. Kjo shkaku mungesës së materialit për furnizim me pasaporta.

Lidhur me këtë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla më 22 dhjetor 2022 u ka drejtuar një kërkesë shtetit të Gjermanisë, duke kërkuar që kosovarët të lejohen të hyjnë në Gjermani me pasaportë të skaduar.

Edhe pas më shumë se një muaji, Gjermania ende nuk ka marrë vendim rreth kësaj.

Nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme në Gjermani në një përgjigje për Indeksonline dje (25.01.2023) konfirmuan se kërkesa e Kosovës është në shqyrtim.

“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.

Indeksonline të martën ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës por që deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.