12:47 / E Enjte, 29 Korrik 2021 / AR

Me sloganin “Ideal për Skenderajn”, Bekim Jashari synon mandatin e dytë në krye të komunës

Kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari ka hapur mbrëmë zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të kësaj komune.

Në praninë e qindra simpatizantëve, Jashari u shpreh i bindur në fitoren e tij.

Poashtu është bërë e ditur edhe slogani i tij për zgjedhjet lokale të tetorit.

“Ideal për Skenderajn”, është slogani zyrtar i tij, transmeton “Indeksonline”.

“Lista e pavarur Bekim Jashari”, është forma se si ai do të konkuroj në zgjedhjet e 17 tetorit.

”Prezenca e të gjithë këtyre qytetarëve nga të gjitha fshatrat e komunës tonë, qytetarë me të drejtë vote në Skenderajt, tregon më së miri faktin se si do të përfundojë rezultati i 17 tetorit 2021. Unë i uroj dhe respektoj të gjithë kundërkandidatët, por që qytetarët e kësaj komune nuk janë mësuar me balotazhe. O e votojnë njërin, o tjetrin, kështu sot po tregojnë që qytetarët e kësaj komune janë rreshtuar në qeverisjen e pastër, transparente me duar të pastra”, ka thënë ndër të tjera ai.

Para se të shpallte kandidaturën zyrtare, Jashari bashkë me disa përkrahës të tij ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz.

Ditë më parë kandidaturën për kryetar të kësaj komune e ka bërë publike edhe ish kryetari i kësaj komune për disa mandate, Sami Lushtaku.

Edhe partitë tjera kanë paralajmëruar se shumë shpejtë do t’i bëjnë publike kandidaturat e tyre për komunën që vlerësohet si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës./Indeksonline/