Më tepër se 10 mijë persona në aeroportin e Kabulit në pritje të evakuimit

Më tepër se 10 mijë persona janë duke qëndruar aktualisht në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit në Afganistan në pritje të evakuimit, është bërë e ditur nga Pentagoni.
Zyrtarët e Mbrojtjes dhe Ushtrisë në SHBA kanë mbajtur konferencë për media në Pentagon. Gjeneral-majori Henk Taylor, që është zëvendësdrejtor për operacione rajonale të sigurisë, ka thënë se përqendrimi është të evakuohen sa më tepër persona të jetë e mundur.
Ai ka thënë se 42 aeroplanë të ushtrisë së SHBA-së kanë evakuuar 11.200 nga personeli amerikanë dhe 7800 nga personeli nga 48 partnerë aleatë, vetëm gjatë ditës së djeshme.
Ai ka thënë se po largohet nga një aeroplan nga Kabuli çdo 39 minuta. Ndërsa po presin 10 mijë persona në aeroport në Kabul për evakuuim. Ai ka thënë se ky numër mund të rritet.
Afati përfundimtar i tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani është 31 gushti.
“Ne do të vazhdojmë evakuimin”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. “Po bëjmë sa më mirë që mundemi dhe sa më shpejt që mundemi. Do të vazhdojmë të evakuojmë deri në fund. Por në ditët e fundit do të prioritizojmë kapacitetet ushtarake dhe resurcet ushtarake për të larguar nga aty”.
Kirby ka thënë se është në dijeni se një person i lidhur me ISIS-in ka qenë në një nga aeroplanët e evakuimit. Ai ka thënë se po bëhet kontrolli i të gjithëve.
Ai ka treguar se janë në kontakt të rregullt me talebanët për procesin e evakuimit.
Raportohet se që kur talebanët kanë marrë në kontroll Afganistanin janë evakuuar afro 82.300 persona.