75 Mall Live Search
09:29 / E Premte, 03 Janar 2020 / indeksADMonline

Vritet me urdhër të Trumpit, gjenerali më i fuqishëm i Iranit

Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit është vrarë nga forcat amerikane, në Irak.

Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”.

Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar në një sulm ajror të Shteteve të Bashkuara.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët”, mbrapa këtij sulmi.

Ai ka shpallur tri ditë zie.

Gjenerali Soleimani ka qenë figurë e rëndësishme në regjimin iranian. Forcat e tij elite, QUDS, i kanë raportuar drejtpërdrejt liderit suprem Khamenei dhe ai është konsideruar si figurë historike kombëtare.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar komandatin dhe forcat e tij si terroristë dhe i ka mbajtur përgjegjës për vdekjet e qindra personave që kanë qenë pjesë e personelit amerikan.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim të Twitter ka publikuar një fotografi të flamurit amerikan, pasi është bërë i ditur lajmi.

Pak pas sulmit, çmimet globale të naftës janë rritur më shumë se 4 për qind.

Mediat amerikane kanë raportuar se gjenerali Soleimani dhe zyrtarë të milicisë së përkrahur nga Irani janë nisur me dy makina drejt aeroportit të Bagadait, kur janë qëlluar nga një dron amerikan.

Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se edhe lideri i milicisë iraniane, Abu Mahdi al-Muhandis është në mesin e të vrarëve.

Pentagoni përmes një deklarate ka thënë: Me udhëzime të presidentit, ushtria amerikane ka marrë vendim për të mbrojtur personelin amerikan duke vrarë, Qasem Soleimanin.

“Ky sulm ajror synon të ndalojë planet e Iranit për sulme në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur njerëzit dhe interesat tona në gjithë botën”, është thënë mes tjerash në deklaratë.