75 Mall Live Search
23:11 / E Hënë, 16 Mars 2026 / F.R

Me vëllain dhe shokët, edhe Azeti udhëton drejt Mekës për të kryer Umren

Prej kohësh është vënë re një tërheqje e tij nga skena dhe daljet e shpeshta publike, dhe duket se reperi i njohur Azet e ka pasur një arsye shumë të fortë për këtë pauzë të menduar. Granit Musa, siç është emri i tij i vërtetë, ka lënë mënjanë për pak kohë jetën e zhurmshme të koncerteve, studiove dhe klubeve të natës për t’iu përkushtuar plotësisht besimit të tij. Reperi shqiptar, i cili prej vitesh dominon toplistat në tregun gjerman e më gjerë, ndodhet aktualisht në qytetin e shenjtë të Mekës, ku po kryen ritet e Umres.

Në fotot e fundit që po qarkullojnë me shpejtësi në llogaritë e njerëzve të tij të afërt në TikTok, Azet shfaqet i buzëqeshur dhe në paqe të plotë para Qabesë.

Ai nuk e ka ndërmarrë i vetëm këtë udhëtim kaq të rëndësishëm. Pranë tij, i veshur po ashtu me rrobat e bardha tradicionale të Ihramit, qëndron vëllai i tij, Albi, së bashku me miq të tjerë të ngushtë dhe bashkëpunëtorë.

Kjo shkëputje e qëllimshme nga luksi, makinat e shtrenjta dhe dinamika e paparashikueshme e showbizit, tregon një dimension krejtësisht tjetër, shumë më të qetë e reflektues të liderit të KMN Gang.

Ndonëse ndjekësit janë padyshim në pritje të projekteve të reja muzikore që pasojnë çdo pauzë të tijën, ata e kanë përshëndetur masivisht këtë vendim të artistit për të gjetur ekuilibrin shpirtëror larg vëmendjes mediatike.