Mediat beogradase: BE dhe SHBA reaguan butë ndaj Kurtit, rreth çështjes së targave!

Vendimi i Qeverisë së Albin Kurtit rreth riregjistrimit të targave ilegale KM, SRB në targa legale RKS, ka nxitur reagime nga Beogradi zyrtar.
Mediat atje, konkretisht “Novosti”, e afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kishin reagime të buta ndaj këtij vendimi.
Kësisoj, Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten të bëjë shkallëzimin e sanksioneve që i presin qytetarët që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS deri më 31 tetor, transmeton Indeksonline
“Reagime të buta të BE-së dhe SHBA-së për refuzimin e Prishtinës për të zgjatur afatin për riregjistrimin e automjeteve në Kosovë”, është titulli i këtij mediumi.
Sipas tyre, reagimet e ndërkombëtarëve hapin dyert për lëvizje të mëtejshme të njëanshme të Kosovës dhe i jep “erë nga pas” për të marrë vendime të reja në kundërshtim me marrëveshjet e arritura, të cilat do të dëmtonin popullin serb.
“E përderisa kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Aljbin Kurti kërcënon serbët me dënime sepse kundërshtojnë planin e tij për targa, Brukseli, nën kapak të të cilit po zhvillohen negociatat, i jep legjitimitet Prishtinës dhe vetëm deklaron se nuk është kështu. në përputhje me dialogun, i cili është i detyrueshëm për të dyja palët”, shkruan Novosti.
Kujtojmë se vendimi qeverisë Kurti vije pas presionit të ndërkombëtareve për shtyrjen e afatit për riregjistrimin targave.
Ato janë targa ilegale. Qeveria ka obliguar qytetarët t’i kthejnë në targa RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Pra me këtë rast me këtë sekuencim dhe shkallëzim ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e t’u japim shanse të gjithë atyre që dëshirojnë të integrohen”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë. /Indeksonline/