23:25 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2019

Mediat në Maqedoninë Veriore: Reka, kandidati i mundshëm i Kurtit për ministër të Jashtëm

Sipas mediave në Maqedoninë Veriore, profesori universitar i së drejtës ndërkombëtare, Blerim Reka është një nga tre kandidatët për postin e ministrit të jashtëm të Kosovës në Qeverinë e koalicionit LVV – LDK.

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e lajmeve INA nga burime partiake, që kanë pranuar se Reka është një nga kandidatët e mundshëm, duke pasur parasysh afërsinë e tij me Albin Kurtin.

“Po është duke u shqyrtuar edhe kandidatura e profesorit Reka, por akoma nuk ka asgjë zyrtare”, tha për INA, një burim partiak pranë Lëvizjes Vetëvendosje.

Profesori Reka ka qenë pjesë zyrës politike të UÇK-së në Prishtinë bashkë me Albin Kurtin, e cila udhëhiqej nga Adem Demaçi gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ai ishte këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare.

Në mesin e kandidaturave për ministër të jashtëm janë përmendur edhe Veton Surroi dhe Ditmir Bushati.