75 Mall Live Search
09:37 / E Enjte, 30 Nëntor 2023 / MSH

Mediat prestigjioze të shoubizit shkruajnë për videoklipin e Drake me motive shqiptare

Kënga e fundit e Drake “Polar Opposites” ka marrë vëmendjen e tërë botës, sidomos të shqiptarëve.

Reperi i njohur kanadez kishte publikuar para disa javësh audion e këngës, duke përmendur në të edhe kryeqytetin kosovar, Prishtinën.

Megjithatë, se kënga i dedikohet një vajze shqiptare, u vulos mbrëmë, me Drake që publikoi videoklipin plotësisht me motive shqiptare.

Në videoklip Drake shfaqet me flamurin kuq e zi, me xhaketë me shqiponjën dykrenare, si dhe mbizotërojnë ngjyrat e flamurit kombëtar, raporton Indeksonline.

Përveç reagimit të shqiptarëve anembanë botës, për Drake dhe lidhjen e tij me shqiptarët kanë shkruar edhe mediat e njohura ndërkombëtare.

“The Rolling Stone”, një nga revistat më prestigjioze, ka shkruar: “Dita e Pavarësisë së Shqipërisë ishte dje, por Drake mendon se nuk është vonë për t’iu bashkuar festës. Të mërkurën, reperi kanadez ndau videoklipin “Polar Opposites”, kënga përmbyllëse e albumit të tij më të fundit, For All the Dogs, ku shfaqet dukshëm me një grup burrash shqiptarë që rrinë në dhomat e lojërave të rezidencës së tij. Në klip, Drake dhe miqtë e tij që luajnë lojëra, kanë veshur xhaketa të kuqe, të gjitha me simbolin kombëtar dhe etnik të Shqipërisë – shqiponjën – të shfaqur në shpinë”.

Për këngën e artistit ka shkruar edhe magazina TMZ, e cila ka vendosur portretin e Drake dhe flamurin shqiptar në ballinën kryesore.

Sipas TMZ, ai i është referuar situatës në veri të Kosovës, duke përdorur metaforën e tensionit atje, për të përshkruar tensionin mes tij dhe të dashurës.

“Ai shpenzon pjesën më të madhe të videos duke luajtur poker me ekuipazhin e tij në Shqipëri në atë që duket të jetë një anije e ulur në detin Adriatik. Drake tregoi gjithashtu njohuritë e tij gjeopolitike duke përmendur krizën e vazhdueshme të Shqipërisë në Kosovën e Veriut me Serbinë në tekstin e këngës: “Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë/ Thjesht e di që tensioni po rritet”, shkruan TMZ.