23:08 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

Mediat serbe: “Ballist Morina mund t’i shpëtojë ekstradimit”

Edhe pse ende mes dilemës së ekstradimit apo azilit politik Ismail Morina vazhdon të zërë faqet e para të mediave serbe.

“Ballisti” gjendet ende në Kroaci në pritje se çfarë do të ndodhë me fatin e tij, nëse do të ekstradohet apo jo në Serbi.

Edhe pse vendimi i ministrit të Drejtësisë, Drazhen Bošnjakovića, për ekstradimin e tij nuk është marrë ende, Serbia, Shqipëria dhe diplomatë kroatë janë shpesh në kontakte për të zgjidhur çështjen e shqiptarit i cili ngriti dronin në stadiumin e Beogradit.

Gazeta “Nezavisne Novosti” shkruan sot në një artikull se diplomatët serbë, shqiptarë dhe ata kroatë janë në kontakte për të zgjidhur çështjen e “Ballistit”.

“Nezavisne Novosti” zbulon po ashtu se kjo zgjidhje do të miratohet së shpejti, e ndërsa me nota kritike shkruan se politika ka “njollosur duart” në këtë rast.

Më tej “Nezavisne Novosti” shkruan se nga njëra anë Kroacia kërkon të mbajë marrëdhëniet e mira me Serbinë falë bashkëpunimeve deri më tani dhe nga ana tjetër Zagrebi dëshiron të ketë marrëdhënie të qëndrueshme me Tiranën dhe respekton dëshirën e palës shqiptare për të zgjatur zgjidhjen e Ismail Morinës.

Kështu kroatët u lejojnë diplomatëve shqiptarë të vizitojnë “Ballistin”. Sipas gazetës në fjalë, Serbia ka dhënë garanci se pas ekstradimit, Morinës do t’i respektohen të drejtat e tij, ndërsa shkruan me dyshim për deklaratën e “Ballistit” se ka frikë për jetën e tij nëse ekstradohet në Serbi.

“Morina është shprehur se gjoja i rrezikohet jeta në burgjet serbe. Ai nuk e ka paguar provokimin që bëri në Beograd. Avokatët e Ismail Morinës supozojnë se në Serbi ai mund të dënohet me tetë vjet burg. Vëllai i Ismail Morinës ka nisur një fushatë të gjerë në Shqipëri, së bashku me tifozët shqiptarë duke kërkuar aktivizim të fortë të diplomacisë shqiptare për të ndaluar ekstradimin drejt Serbisë,” shkruan Nezavisne Novosti.