Mediat serbe: Këto janë arsyet pse ShBA nuk po i jep fund taksës
Nga deklaratat e fundit të zyrtarëve amerikanë është e qartë se të njëjtit po bëjnë presion mbi Prishtinën dhe kjo mund të vërehet edhe nga vizitat e shumta nga administrata amerikane në Kosovë.
Megjithatë, taksa 100% e vendosur në drejtim të produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës nuk është larguar ende.
Pse? Kështu shkruajnë mediat serbe.
Sipas Blicit serb, ka të paktën dy arsye shumë të rëndësishme pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan të përdorin forcën për të detyruar liderët shqiptarë të largojnë taksën.
Nga njëra anë sipas medias në fjalë, një veprim i tillë mund të keqpërdoret nga disa liderë kosovarë dhe të përshkallëzohet me dhunë në teren, që do të nënkuptonte ‘vdekjen e marrëveshjes’ dhe nga ana tjetër, forcat e fuqishme, sipas ‘Blic’ në një numër rastesh, po përpiqen shumë të zbatojnë interesat e tyre në Kosovë, të cilat aktualisht nuk pajtohen me ShBA-të.
Tutje shtohet se në radhë të parë e gjitha ka të bëjë me Mbretërinë e Bashkuar, e që thuhet se ka lidhje të ngushta me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili është kundërshtari kryesor i ndryshimit të kufijve dhe mundësisë së heqjes së taksës.
Madje u shtua se në bazë të burimeve nga asambleja e Kosovës, britanikët tani pothuajse e kundërshtojnë hapur marrëveshjen.
“Britanikët nuk janë për korrigjimin e kufijve, qëllimi i tyre është shumë kundër nga amerikanët”, u tha nga ky burim.
I njëjti burim thuhet të ketë shtuar se Amerika ‘shtyn’ heqjen e taksës dhe arritjen e një marrëveshje sa më parë të jetë e mundur, por nuk dëshiron të përshkallëzohet situata.
“Kjo është arsyeja pse ata janë kaq të kujdesshëm dhe nuk bëjnë presion më shumë”, ka thënë tutje i njëjti burim./Indeksonline/