20:22 / E Enjte, 28 Mars 2019 / indeksADMonline

Mediat serbe në panik: Evropianët po ia heqin vizat Kosovës!

Mediat beogradase kanë raportuar rreth votimit të Parlamenti Evropian për vazhdimin e  mandatit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Gazeta e njohur, “Novosit” i ka kushtuar një shkrim të veçantë kësaj çështje.

“Parlamenti Evropian po kërkon heqjen e vizës së Prishtinës”, është titulli i vendosur. Evropski parlament traži ukidanje viza Prištini, transmeton Indeksonline

Ndryshe, votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në muajin maj.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Evropian të bëjë punën e tij.

Lajmi është publikuar edhe nga kryeministri Haradinaj.

“Nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon – në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një vullnet kaq i fuqishëm politi, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar.

Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe e dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Europë.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat.

Kosova vazhdon të mbetet e fokusuar në përkushtimin e saj për avansimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian, dhe u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” shkruan kryeministri në njoftim. /Indeksonline/