07:38 / E Martë, 07 Janar 2020 / indeksADMonline

Meditimi i ndërgjegjësimit, kura kundër ankthit

ÇFARË ËSHTË MINDFULLNES, OSE MEDITIMI I NDËRGJEGJËSIMIT?


Meditimi i ndërgjegjësimit, mindfulness, është një element i trajnimit dhe zhvillimit të mendjes sipas stilit budist të meditimit, që aplikohet edhe në psikologjinë klinike.

Nëse ankthi është sëmundja moderne, atëherë ndoshta ndërgjegjësimi është kura. Ndërgjegjësimi përkufizohet si vetëdije ndaj mendimeve moment pas momenti, ndjenjave, ndjesive trupore e ambientit rrethues e karakterizohet kryesisht nga “pranimi”, kujdesi ndaj mendimeve dhe ndjenjave, pa gjykuar nëse ato janë të drejta apo të gabuara.

Ndërgjegjësimi e përqendron trurin e njeriut tek ajo çka ndihet në secilin moment, duke i ndërprerë për një kohë të caktuar mendimet për të kaluarën apo të ardhmen.

Qëllimi i meditimit të ndërgjegjësimit është të stërvitë mendjen, në të njëjtën mënyrë me të cilën ngremë pesha për të forcuar muskujt, të jemi të aftë të përqendrohemi dhe të shmangim endjen e përhershme me autopilot për periudha të gjata kohe. Krahasuar me “zoning out”, meditimi i ndërgjegjësimit është si “zoning in” në çfarëdo fenomeni apo fenomenesh në të cilat zgjedhim të përfshihemi.

Ne, me ndërgjegje të plotë, përqendrohemi në mendime ose ndjesi specifike e të projektuara, të cilat ngrenë fushën tonë të vetëdijes dhe na ndihmojnë të vëzhgojmë në mënyrë jo paragjykuese.