Megan Fox flet për periudhën e vështirë pas lindjes së vajzës
Aktorja e njohur Megan Fox ka folur hapur për sfidat e saj me shëndetin pas lindjes, gjashtë muaj pasi solli në jetë vajzën Saga Blade, nga marrëdhënia e saj me ish-partnerin Machine Gun Kelly.
Gjatë një interviste në një event për filmin e saj kult ‘Jennifer’s Body’, në Muzeun e Akademisë së Arteve të Filmit në Los Angeles më 25 tetor, aktorja 39-vjeçare pranoi se ende po përballet me “mjegull truri” dhe mungesë gjumi.
“Dua të them që sapo kam bërë një fëmijë, dhe kam shumë mjegull truri,” – tha ajo me humor, duke shtuar:
“Nuk kam fjetur prej shtatë muajsh. Nëse e përsëris veten, më ndaloni, sepse ndoshta po humbas fillin.”
Fox, e cila është gjithashtu nënë e tre djemve, Noah (13), Bodhi (11) dhe Journey (9), nga martesa e mëparshme me aktorin Brian Austin Green, foli edhe për periudhën e vështirë kur punoi në filmin Jennifer’s Body në vitin 2009.
Ajo kujtoi se skenari i filmit e kishte prekur thellë:
“E lexova skenarin dhe ndjeva një lidhje të fortë me personazhin. Në atë periudhë ndihesha e persekutuar nga fama, e traumatizuar nga ajo që më solli suksesi. Ishte sikur të isha një vajzë e sakrifikuar për përfitimin e të tjerëve dhe kjo më përfaqësonte plotësisht në atë kohë.”
Fox shtoi se roli i Jennifer-it i dha mundësinë të shprehte anët më të errëta e të papërshtatshme për përditshmërinë:
“Ishte çliruese të luaje me atë energji femërore të errët që askush nuk të lejon ta shfaqësh në jetën e përditshme.”
Ky ishte një nga paraqitjet e para publike të Megan-it që nga lindja e vajzës së saj, Saga Blade.
Ndërkohë, Machine Gun Kelly (emri i vërtetë Colson Baker), me të cilin aktorja u nda në dhjetor 2024, foli më parë për rolin e saj si nënë, duke thënë në emisionin Today:
“Megan është një nënë e mrekullueshme. Po e përballon gjithçka me forcë dhe dashuri. Jam shumë krenar.”
Në një intervistë tjetër për The Jennifer Hudson Show në shtator, reperi zbuloi me humor se çifti ende “debatojnë” se kujt i ngjan vajza:
“Një muaj i ngjante mua, tani i ngjan asaj. Kështu e kemi ne.”
Pas ndarjes, të dy duket se po ruajnë një marrëdhënie të qëndrueshme bashkëprindërimi, ndërsa Megan fokusohet në familjen dhe rikthimin e saj në karrierë.

