11:51 / E Hënë, 28 Nëntor 2022 / S Z

Megaoperacioni në Spanjë vë në pranga 10 shqiptarë, shkatërrohen 9 plantacione marijuane

Autoritet Spanjolle kanë arrestuar dhjetë shqiptarë dhe po heton 2 të tjerë, të gjithë të dyshuar si autorë të një krimi të vazhdueshëm kundër shëndetit publik dhe anëtarë të një organizate kriminale.

Gjatë operacionit ku është bërë e mundur dhe arrestimi i shqiptarëve, Guarda Civil ka çmontuar gjithsej 9 plantacione marijuane, duke asgjësuar 44382 bimë, në komunat Secastilla, Boltaña, Aínsa, Benabarre, Tierrantona dhe Fanlo.

Operacioni, i cili është kryer në periudhën mars-nëntor të këtij viti, në rajonet Sobrarbe dhe Ribagorza, ka pasur ndërhyrjen e 82 rojeve civile, duke çmontuar 20 kampe të fshehura në zona të pyllëzuara të vështira për t’u arritur.

Autoritetet filluan hetimet e para në muajin mars në përpjekje për të lokalizuar plantacionet e mundshme, të krijuara nga mafiozët ndërkombëtarë për kultivimin, tharjen dhe paketimin e marijuanës për më pas shitjen në Evropë.

Gjatë gjithë kohës anëtarët e bandës gjenin rrugë shpëtimi në rast se zbuloheshin, ata largoheshin nga vendi gjë që vështirësonte mbikëqyrjen nga agjentët, të cilët duhej të merrnin masa ekstreme për t’i zbuluar.

Për sa i përket kampeve, bëhet me dije se në disa prej tyre ishin vendosur sisteme alarmi rudimentare, të cilat njoftonin për praninë e mundshme të një të panjohuri.

Pranë plantacioneve u krijuan kampe ku banonin përgjegjësit të cilët për të pasur më shumë lëvizshmëri prenë pemët dhe rrafshuan masën pyjore për të sjellë ujë në plantacione dhe për të ndërtuar kasolle tharje.

Për zhvillimin e operacionit është dashur dhe ndërhyrja e Njësisë Ajrore të Gardës Civile të Zonës së Aragonit, për të fluturuar mbi zona dhe për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të tyre, duke përdorur edhe varkat e Gardës Civile për të transportuar të arrestuarit dhe materialet e sekuestruara.

Si rezultat në këtë operacion u arrestuan 10 meshkuj të moshave 19 deri në 40 vjeç, të gjithë me kombësi shqiptare dhe pa adresë, si autorë të dyshuar të një krimi kundër shëndetit publik, për kultivim dhe trafik droge dhe anëtarësim në një organizatë kriminale.

Janë sekuestruar gjithsej 44.382 bimë marijuanë, të cilat pasi të përpunoheshin mund të kishin pasur përfitime të mëdha në tregun ilegal. Janë zbuluar 20 kampe ku banonin të arrestuarit, 9 dhoma tharjeje, 11 rezervuare uji, 2 gjeneratorë, 5 pompa uji, 10 celularë dhe mjete dhe vegla të shumta të dedikuara për kultivimin, kujdesin, tharjen dhe paketimin e drogës.