Mehaj i bashkohet Kurtit në vizitat në ShBA, takohen me guvernatoren e Iowas

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shoqëruar kryeministrin Kurti në takimin e organizuar në Iowa, bashkë me guvernatoren e këtij shteti, Kim Reynolds, dhe sekretarin e bujqësisë, Mike Naig.

Gjatë takimit u diksutua për vazhdim të bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për investimet në teknologji informative dhe bujqësi.

“Marrëdhënia në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowas është e veçantë, dhe nëpërmjet programit të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowas, ushtria e Kosovës është pjesëmarrëse e misioneve jashtë vendit dhe një hap më afër drejt anëtarësimit në NATO” shkroi Mehaj në Facebook.
Ky është postimi i plotë i tij:
Sot pata nderin që bashkë me Kryeministrin Kurti të takoj Guvernatoren e shtetit të Iowas, Kim Reynolds si dhe Sekretarin e Bujqësisë, Mike Naig.
Gjatë këtij takimi diskutuam për shumë çështje, bashkëpunimin e ngushtë ushtarak, situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë dhe implikimet në rajon.
U dakorduam për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake e po ashtu të zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe në fushën civile, me theks të veçantë investimet në teknologjinë informative dhe fushën e bujqësisë, si dy sektor impakti i të cilave ndihet shumë në situatën aktuale gjeopolitike.
Marrëdhënia në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowas është e veçantë, dhe nëpërmjet programit të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowas, ushtria e Kosovës është pjesëmarrëse e misioneve jashtë vendit dhe një hap më afër drejt anëtarësimit në NATO.
Si një shtet evropian dhe proamerikan, zotohemi se do të vazhdojmë të jemi kontribues të sigurisë në rajon dhe botë, gjithmonë në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike të familjes së madhe evropiane, aleatëve tanë, e në veçanti ShBA-ve.
Bashkë, për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt vlerave perëndimore!