75 Mall Live Search
10:02 / E Diele, 27 Shkurt 2022 / LB

Mehaj i kërkon komandantit të KFOR-it prezencë më të madhe të KFOR-it në veri të vendit

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajar.

Në këtë takim, ai ka thënë se ka kërkuar prezencë më të madhe të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj.

“Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë”, ka shkruar ndër të tjera Mehaj.

Postimi i plotë i Mehajt:

Me qëllim të koordinimit të ngushtë me KFOR-in, pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor, Ferenc Kajar.

Me këtë rast, kërkova prezencë më të madhe të trupave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj.

Gjithashtu me Gjeneral Kajar u pajtuam që të rritet koordinimi në mes institucioneve të sigurisë së vendit dhe KFOR-it , si dhe që të shtohen kapacitetet dhe vigjilenca në gjithë kufirin e vendit.

Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë.