10:27 / E Enjte, 15 Qershor 2023 / S Z

Mehaj: Institucionet e përkushtuara për sfidat e sigurisë, Komuniteti Ndërkombëtar t’i dënojë veprimet e Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj,  ka thënë se përballë zhvillime të fundit në vend, Qeveria dhe institucionet e saj të sigurisë,  janë të përkushtuara për t’iu  përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu dhe në tërë territorin e Kosovës.

“Përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.  Bashkë me Policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse “, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ndërsa ka thënë se veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore të Serbisë.

“Kosova ka dalëzotësit e saj dhe ajo është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve. Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj.  Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe proruse në Ballkan”, ka thënë Mehaj.

Komuniteti ndërkombëtar sipas tij,  duhet t’i dënoj veprimet e Serbisë.

“Çdo përpjekje për depërshkallëzim, duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për të ofruar zgjidhje për aktin e djeshëm, si dhe veprimet e saj të vazhdueshme provokuese dhe nxitëse karshi Republikës së Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe duhet t’iu qëndrojë deri në fund pranë palëve, sipas gatishmërisë së tyre përkatëse, drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit të situatës në veri të vendit tonë. Me Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj!”, ka shkruar Mehaj