75 Mall Live Search
16:26 / E Enjte, 01 Janar 2026 / Z S

Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale – çdo kërcënim do të përballet me përgjigje vendimtare

armend mehaj

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e tij të parë për një media apo gazetar në Kosovë gjatë dhe pas përfundimit të mandatit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në këtë intervistë të detajuar, Mehaj flet hapur për gjendjen e sigurisë në vend, zhvillimin dhe armatosjen moderne të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërtimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe për rrugën strategjike të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Ish-ushtaraku Mehaj jep sqarime të drejtpërdrejta mbi marrëveshjet e bëra personalisht shtet me shtet për armatimit, kapacitetet reale ushtarake të Kosovës dhe rolin e FSK-së në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe euroatlantike.

Kjo intervistë ekskluzive vjen në një kohë të ndjeshme për sigurinë në Ballkan, mes paralajmërimeve të mercenarëve serbë dhe tensioneve të vazhdueshme në rajon, duke ofruar një pasqyrë të qartë nga njeriu që udhëhoqi transformimin më të madh të ushtrisë së Kosovës që nga paslufta.

Megjithatë, vetë Mehaj në krye të intervistës vlerëson se siguria në Kosovë është në nivelin më të lartë historik, falë ndërtimit sistematik të kapaciteteve mbrojtëse dhe armatosjes moderne të FSK-së në koordinim me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.

“Siguria në Republikën e Kosovës sot është në një nivel dukshëm më të lartë dhe më të qëndrueshëm se në çdo periudhë tjetër historike. Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të fundit, ka bërë që territori i Kosovës të jetë shumë më i vështirë për çdo përpjekje destabilizuese ose kërcënim të jashtëm. Çdo tentativë për të cenuar sigurinë e vendit përballet sot me një realitet krejtësisht të ri”, thotë Mehaj.

Ai paralajmëron se mercenarët serbë dhe strukturat ushtarake të Serbisë vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me interesat ruse, duke e pozicionuar Serbinë larg integrimit euroatlantik.

Një nga pikat kyçe të intervistës është armatimi i FSK-së. Mehaj konfirmon blerjen e mjeteve ajrore pa pilot “Bajraktar” dhe “Puma”, sistemeve kundërtanke OMTAS, si dhe pajisje të tjera të avancuara nga Turqia dhe shtete partnere.

Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa perceptohet zakonisht në opinion. Për më tepër, vendi ka kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake, të cilat janë vlerësuar edhe nga shtete të tjera të rajonit. Disa prej tyre, edhe pse pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut para nesh, kanë treguar interes dhe respekt për zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë Mehaj.

Kujtojmë se për herë të parë, Kosova ka hedhur hapa konkretë drejt ndërtimit të industrisë së saj të mbrojtjes. Mehaj e konsideron këtë si një nga arritjet më të mëdha të mandatit të tij.

“Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit”.

Ish-ministri Mehaj shprehet i bindur se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pashmangshëm, por thekson se ky proces kërkon angazhim të koordinuar shtetëror.

Megjithatë, ai rikujton se anëtarësimi nuk është vetëm çështje ushtarake, por shtetërore.

“Unë e kam theksuar vazhdimisht dhe e përsëris edhe tani se Kosova patjetër do të jetë shteti i 33-të që do të anëtarësohet në NATO. Kosova nuk anëtarësohet në NATO si ushtri, por si shtet. Për këtë arsye, të gjithë mekanizmat e shtetit duhet të angazhohen në mënyrë të koordinuar”, u shpreh ish-ministri Mehaj.