18:05 / E Martë, 21 Dhjetor 2021 / OSH

Mehaj ndan medalje e mirënjohje për pjesëtarët e FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se sot gjatë ditës ka ndarë disa medalje dhe mirënjohje për zyrtarët dhe ushtarakët e FSK-së dhe për ata të kësaj ministrie.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kompetencave të mia, si Ministër i Mbrojtjes, sot kam ndarë medaljet dhe mirënjohjet për zyrtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, për të cilët kam marrë vendim në “Ditën e Forcës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mirënjohje është ndarë për zyrtaren e lartë, Fahrije Sadikun, sipas Mehajt, për realizimin e detyrave me përgjegjësi të lartë në arritjen e objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Medalje për “Arritje të jashtëzakonshme” Mehaj e ka ndarë për kolonel Sefer Isufin, nënkolonel Rifat Malokun, kapiten Ismail Hoxhën dhe nënoficerin Mendim Bellaqën, të cilët sipas Mehajt janë dalluar për arritje të jashtëzakonshme në zbatimin e detyrave, gatishmërisë, stërvitjes, diciplinës dhe bashkëpunimit në aktivitete brenda dhe jashtë orarit të punës.

Medaje për “Shërbim të Shquar”, Mehaj tha se e ka ndarë për nënkolonel Remzije Zeqiraj, major Azman Mula, kapiten Ardian Ramadanin, nënoficer Zymer Tahirin, nënoficer Ilaz Durakun, nënoficer Fisnik Demollin, nënoficer Dritan Januzaj, nënoficer Hasim Drenovcin, nënoficer Bunjanin Raçin, nënoficer Arbër Krasniqin dhe nënoficer Alban Gashin, të cilët janë dalluar për shërbim të shquar dhe të merituar në detyrë me përgjegjësi të lartë.

“Shumë urime për të gjithë dhe kam besimin e plotë se, bashkërisht si një mendje, shpirt e trup i vetëm, do të vazhdojmë me suksese edhe më të mëdha në vitin 2022”, ka vazhduar ministri.