75 Mall Live Search
18:39 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / S Z

Mehaj reagon pas dërgesës raketore anti-tank: Asgjë e rastësishme, puna e mirë përmendet gjatë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas pranimit të dërgesës së radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia në vendin tone.

Mehaj ka sqaruar se të gjitha furnizimet e deritanishme, përfshirë edhe atë të fundit nga Turqia, janë pjesë e një vazhdimësie që ka nisur më herët dhe ka vazhduar me kohë. Sipas tij, OMTAS është bërë publik për herë të parë gjatë ushtrimit “Defender 23”, ndërsa ekzistojnë edhe materiale vizuale që dëshmojnë marrëveshjet shtet me shtet.

“Për shkak të interesimit të mediave lidhur me furnizimet e fundit të OMTAS-it, e shoh të nevojshme të sqaroj se të gjitha furnizimet e deritanishme, përfshirë edhe këtë të fundit nga Turqia, janë pjesë e një vazhdimësie të planifikuar dhe të rregullt të furnizimit. Nuk bëhet fjalë për blerje të rastësishme apo të papritura, por për procese që kanë nisur më herët dhe kanë vazhduar me kohë. OMTAS për herë të parë e kemi bërë publik në opinion gjatë Defender 23, fotot i keni të publikuara këtu, ndërsa videoja që dëshmon marrëveshjet shtet me shtet është po ashtu ketu”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ish-ministri ka vlerësuar lart edhe përkrahjen e kryeministrit Albin Kurti në këto procese, duke thënë se mbështetja për marrëveshjet dhe kontraktimet shtet me shtet ka qenë e plotë dhe pa asnjë rezervë.

Mehaj ka folur edhe për Fondin e Sigurisë, duke theksuar se aktivizimi i tij nuk është as i rastësishëm dhe as i tepruar. Ai ka shtuar se fonde të tilla i kanë edhe shtete shumë më të forta dhe më të konsoliduara, ndërsa investimet në siguri, sipas tij, janë investime në stabilitetin dhe të ardhmen e shtetit.

“Nuk bëhet fjalë për blerje të rastësishme apo të papritura, por për procese që kanë nisur më herët dhe kanë vazhduar me kohë. OMTAS për herë të parë e kemi bërë publik në opinion gjatë Defender 23, fotot i keni të publikuara këtu, ndërsa videoja që dëshmon marrëveshjet shtet me shtet është po asht ketu. Për ata që pyesin se ku kanë shkuar dhe ku po shkojnë mjetet monetare, përgjigjja është e qartë: ato janë përdorur për këto furnizime, për furnizimet e mëparshme dhe për furnizimet që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kjo ka qenë dhe mbetet logjika e ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse. Në të gjitha këto procese, përfshirë marrëveshjet dhe kontraktimet shtet me shtet, përkrahja e Kryeministrit Albin Kurti ka qenë e plotë dhe pa asnjë rezervë. Këtë e kam vlerësuar gjithmonë lart”, shkruan ai.

“Po ashtu, aktivizimi i Fondit të Sigurisë nuk është as i rastësishëm e as i tepruar. Fonde të tilla i kanë edhe shtete shumë më të forta dhe më të konsoliduara se ne. Investimet në siguri nuk janë kurrë të kota dhe as të tejkaluara. Ato janë investime në stabilitet dhe në të ardhmen e shtetit. Mjetet e këtij fondi i nënshtrohen kontrolleve të rrepta dhe nuk ka hapësirë për parregullsi apo abuzim. Çdo kontribut për Kosovën është investim në të ardhmen. Së bashku me aleatët tanë, krah për krah drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Mehaj.

Republika e Kosovës dje ka pranuar dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Lajmin e bëri të ditur Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes.