21:38 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / MSH

Mehaj takohet me këshilltarin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, shprehet gatishmëria e Kosovës për anëtarësim

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e NATO-s, takim të cilin e cilësoi si të shkëlqyeshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se së bashku diskutuan mbi fushën e sigurisë dhe rolin e KFOR-it në Kosovë.

“Para gjeneralmajorit sërish theksova gatishmërinë që Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh për të qenë pjesë aktive e misioneve të NATO-së me të gjitha kapacitetet tona profesionale të cilat i kemi zhvilluar ndër vite, e po ashtu shpreha mirënjohjen për trupat e KFOR-it në Kosovë, bashkëpunimi me të cilët është shumë i rëndësishëm në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta në mbrojtjen e vlerave demokratike” tha Mehaj.

Ky është postimi i plotë i tij:

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, takova këshilltarin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneralmajor Landrum.

Me Gjeneralmajor Landrum, si anëtari i dytë më i lartë i Komitetit Ushtarak të NATO-s, diskutuam rreth zhvillimeve në sektorin e sigurisë, situatës aktuale gjeopolitike, rolit të KFOR-it dhe trupës këshilluese të NATO-s në Kosovë, si dy organe bashkëpunuese në misionin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë.

Para gjeneralmajorit sërish theksova gatishmërinë që Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh për të qenë pjesë aktive e misioneve të NATO-së me të gjitha kapacitetet tona profesionale të cilat i kemi zhvilluar ndër vite, e po ashtu shpreha mirënjohjen për trupat e KFOR-it në Kosovë, bashkëpunimi me të cilët është shumë i rëndësishëm në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta në mbrojtjen e vlerave demokratike.