Mehmet Ballazhi sërish kandidon për kryetar të Hanit të Elezit

Kryetari aktual i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, do të garojë sërish për pozitën e udhëheqësit të bashkisë, në zgjedhjet e 12 tetorit.
Këtë e ka konfirmuar vet Ballazhi, duke shprehur mirënjohje ndaj strukturave të PDK-së, për besimin e plotë.
“Kjo kandidaturë vjen me një qasje të sinqertë, të matur dhe të bazuar në përvojë. Unë nuk premtoj më shumë se ç’mund të bëj – por çdo fjalë e imja është zotim për punë konkrete, për komunën dhe njerëzit e saj”, shkroi Ballazhi.
Ky është postimi i plotë i tij:
Me përkushtim të vërtetë. Me vizion për Hanin e Elezit.
Ju njoftoj se kam marrë besimin e plotë dhe unanim të strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës – Dega në Han të Elezit që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të kandidoj për Kryetar të Komunës.
Kjo kandidaturë vjen me një qasje të sinqertë, të matur dhe të bazuar në përvojë. Unë nuk premtoj më shumë se ç’mund të bëj – por çdo fjalë e imja është zotim për punë konkrete, për komunën dhe njerëzit e saj.
Gjatë viteve të angazhimit tim si Kryetar Komune përgjatë periudhës 2021-2025, bashkë me ekipin tim qeverisës por edhe me besimin e gjithsecilit nga ju, ne kemi dëshmuar se ndryshimi fillon nga veprat, jo nga fjalët. Me qasje të hapur dhe dëgjim aktiv ndaj qytetarëve, kam dhënë maksimumin tim për të qenë zëri i zgjidhjeve, jo vetëm i kritikave. Së bashku, kemi ndryshuar mendësinë mbi barazinë gjinore, mbi transparencën, mbi llogaridhënien, mbi mbështetjen ndaj rinisë, mbi aktivizmin kulturor e sportiv, mbi idetë inovative, mbi rëndësinë e një mjedisi të gjelbërt, por mbi të gjitha…tashmë Hani i Elezit pas katër vitesh qeverisje nga PDK me mua si Kryetar Komune, Hanin e Elezit e kemi kthyer në një vendqëndrim, e jo vetëm në një vendkalim siç ishte.
Sot, paraqitem si kandidat për të udhëhequr Hanin e Elezit me përgjegjësi, qetësi dhe vendosmëri. E njoh komunën në rrënjë. E njoh sfidën. Por mbi të gjitha, e njoh fuqinë e qytetarëve që bashkë bëjnë ndryshimin.
Në këtë rrugëtim, kërkoj mbështetjen tuaj për ta vazhduar besimin tuaj në punën time 4 vjeçare duke synuar në vazhdimësinë e punëve të mira, transparencë e llogaridhënie, inovacion e kushte më të mira jetese.
Sepse kur qëllimi është i përbashkët, fitorja është e gjithë Hanit të Elezit.
Zgjedh Partinë Demokratike të Kosovës – zgjedh përvojën, maturinë dhe vizionin.Sepse Hani i Elezit meriton ma mirë.