75 Mall Live Search
14:11 / E Mërkurë, 03 Shkurt 2021 / OSH

Mehmeti: Kemi plotësuar të gjitha kushtet për kartonin e gjelbër, pengesë mosanëtarësimi në OKB

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka vizituar Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Pas takimit me ushtruesin e detyrës së drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku, Mehmeti në një konferencë shtypi tha se pandemia ka ndikuar edhe në sektorin e sigurimeve.

Sipas tij, janë plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron kartonin e gjelbër, por që pengesë mbetet mosanëtarësimi në OKB.

“Ashtu siç e gjithë bota masat e marra kanë ndikuar negativisht në rënien e aktiviteti ekonomik dhe pandemia e ka goditur edhe industrinë e sigurimeve”.

“Vitet e fundit vërehet një përmirësim të këtij sektori dhe masat e marra të BQK-së kanë qenë efektive. Gjatë vitit kemi një rënie të shpenzimeve me 13%”.

“Sa u përket dëmeve të paguara bruto arritën diku rreth 46 milionë euro dhe kjo është aplikimi i masave kufizuese të lëvizjes. Aksidentet në të shumtën e rasteve vijnë nga automjetet e pasiguruara”.

“Sa i përket kartonit të gjelbër të gjitha kushtet janë plotësuar, mirëpo pas dorëzimit të aplikacionit ka ndodhur një pengesë që Kosova të mos jetë anëtare si rezultat e mospranimit në OKB”.

Zëvendësguvernatori, Sokol Havolli, tha se BQK-ja për një periudhë të konsiderueshme ka përgatitur terrenin për të bërë reforma në kompaninë e sigurimeve.