75 Mall Live Search
12:17 / E Enjte, 26 Shtator 2019 / indeksADMonline

Meliza Haradinaj paraqet doktrinën e paprekshmërisë në 6 pika

Anëtarja e Kryesisë qendrore të AAK-së, Meliza Haradinaj e ka “paraqitur” doktrinën e paprekshmërisë në 6 pika.

Këshilltarja e kryeministrit në largim ka shkruar se qytetarët duan që 6 qëndrime të mos lëkunden nga asnjëri politikan.

“DOKTRINA E PAPREKSHMËRISË NË 6 PIKA

Përtej kozmetikës elektorale e fjalëve të mëdha, Kosova ka nevojë për stabilitet, parashikueshmëri, e vendosmëri në atë që qytetarët duan për vendin e vet.

Qytetarët duan që 6 qëndrimet qenësore për shtetin (si në vijim) të mos lëkunden nga asnjë politikan:

  1. Kufijtë, territori, dhe funksionaliteti shtetëror i Kosovës së 17 shkurtit të mos preket;
  2. Taksa 100% të mbetet në fuqi deri në vetëdijësim shtetëror të Serbisë se Kosova e pavarur tashmë është realitet i pakthyeshëm;
  3. Partneriteti strategjik me SHBA, Gjermani, BE dhe NATO të ruhet e kultivohet me kujdes, sinqeritet, e vizion largpamës;
  4. Miqtë ndërkombëtar të mos gënjehen e orientohen në drejtime të gabuara, jashtë bindjeve e specifikave shtetërore të Kosovës, por me bashkëpunim të ngushtë, respekt të ndërsjellë dhe pa servilitet;
  5. Demarkacioni me Malin e Zi të korrigjohet sipas marrëveshjes për korrigjim në drejtim të Kullës dhe Çakorrit;
  6. Marrëdhënia me Shqipërinë të zhvillohet në raport partneriteti reciprok, e jo në raport paternalizmi.

Të gjitha qëndrimet dhe çasjet në tema të tjera sektoriale (ekonomi, arsim, rend e ligj, shëndetësi, energji, etj.), janë të debatueshme dhe me interes për jetën e qytetarit, por vetëm pasi që të sigurohemi që ka konsensus nacional e partiak në 6 pikat si më lartë.

Ka ende 9 ditë kohë për deklarim e korrigjim nga partitë që sot nuk janë në këto vija nacionale, përcaktuese për votën e sovranit. I ftoj të gjitha partitë pa dallim, të rreshtohen prapa kësaj doktrine”, shkruan Meliza Haradinaj.