Memli Krasniqi: “Babadimri” i Kurtit s’mund t’i blejë votat me premtime boshe
 
				Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të qeverisë në detyrë për rritjen e pensioneve, pagës minimale dhe shtesave për fëmijë, duke i cilësuar ato si “mashtrime elektorale” në prag të zgjedhjeve.
“Thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur e as me ble votën për balotazh apo zgjedhje parlamentare”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se gjithçka që qeveria “Kurti” po premton sot, për pesë vjet nuk është realizuar, por do të bëhet “më mirë, më shumë e më shpejt – me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin dhe pa Vetëvendosjen”.
Në fund të reagimit të tij, kryetari i PDK-së e përmbylli me një paralajmërim simbolik:
“Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                