12:30 / E Enjte, 23 Mars 2023 / MSH

Memli Krasniqi: Kryeministri Kurti i ka pranuar krejt ato që ka premtuar se s’do t’i pranojë kurrë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se Albin Kurti e ka degraduar procesin e dialogut, duke bërë kapërcimin më të madh në politikën shqiptare ndonjëherë, duke pranuar gjithçka që ka premtuar se s’do të pranonte.

“Loja me fjalë e ka afatin e skadimit. Fjalët skadojnë atëherë kur duhet me ndërmarrë veprime. Dhe kryeministri veprimet i ka marrë mbi vete e, për ironi të fatit, në vilën e Josip Broz Titos, të kasapit të shqiptarëve, ku i ka pranuar krejt ato që ka premtuar që s’do t’i pranojë kurrë. Kapërcimin më të madh ndonjëherë që ndokush e ka bërë në politikën shqiptare, e ka bërë Albin Kurti, kur ka kaluar me këtë pajtim prej “Vetëvendosje, jo negociata” në “Po negociata, e vetëvendosje për serbët e Kosovës”, theksoi kreu i PDK-së.

Krasniqi shtoi se prej qëllimit të njohjes së ndërsjellë, kryeministri i Kosovës e ka pranuar mosnjohjen.

“Ky është ndryshim i turpshëm, është dorëzim. Është dorëzim të thuhet tekst më të mirë s’kemi mujtë me marrë në këtë situatë. Sepse, situatën para së gjithash, e ka krijuar ky kryeministër, nuk ka pikë prej qiellit. Para një viti ka mundur ta ketë tekstin më të mirë, tekst që nuk e pranon mosnjohjen nga Serbia, sepse esenca e kësaj marrëveshjeje është se ka degraduar nga arritja e njohjes së ndërsjellë në pranimin formal të mosnjohjes së ndërsjellë”, tha ai.

Krasniqi konsideron se shumica e neneve të tekstit të marrëveshjes, më shumë përmbajnë një deklaratë politike, se sa një kontratë në mes të dy shteteve.

“Dëmet potenciale të kësaj marrëveshje janë të shumta, kjo marrëveshje më shumë ngritë pikëpyetje sesa që jep përgjigjje. Shumica e neneve të tekstit të marrëveshjes, më shumë përmbajnë një deklaratë politike, se sa një kontratë në mes të dy shteteve ose në fakt, nga pranimi i Kryeministrit, në mes të dy jo-shteteve. Nuk ka kontratë, ka deklaratë politike, përveç tre nene në mënyrë të veçantë, për obligimet që i vendosen Kosovës, në nenin 6, 7 dhe në nenin 10”, theksoi lideri i PDK-së.

Krasniqi tha se pranimi i autonomisë politike për komunitetin serb dhe statusit ekstraterritorial për Kishën Ortodokse Serbe nga Kurti po e rrezikon vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

“Pse more burrë duhesh me folë me ta, pse duhesh me pranu status ekstraterritorial për Kishën Ortodokse Serbe? Kjo është me e ça themelin e shtetit të Kosovës, që është Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilën është shpallur në këtë Kuvend shteti i pavarur dhe sovran”, shtoi ai.