75 Mall Live Search
12:36 / E Premte, 24 Tetor 2025 / H F

Memli Krasniqi pas numërimit të votave nga KQZ: PDK-ja, partia më e votuar në Kosovë – puna vazhdon

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ-ja, duke shpallur PDK-në si partinë më të votuar në nivel vendi.

“PDK – Partia më e votuar në Kosovë!”, ka shkruar ai në postimin e tij në rrjete sociale.

Sipas Krasniqit, rezultati me mbi 187,500 vota tregon qartë se qytetarët e Kosovës kanë besuar përsëri në vizionin e PDK-së për zhvillim dhe qeverisje të mirë.

“Pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ-ja, me mbi 187,500 vota, qytetarët e Kosovës folën qartë edhe në këto zgjedhje lokale: besimi, organizimi dhe vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës për zhvillim kanë fituar sërish”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka falënderuar të gjithë qytetarët, kandidatët, anëtarët dhe aktivistët për besimin dhe angazhimin e tyre.

“Ky rezultat është dëshmi e punës sonë të përbashkët, e çdo kandidati, anëtari, aktivisti dhe qytetari që beson se Kosova mundet më mirë”, ka shtuar ai.

Në fund, kryetari i PDK-së ka dërguar një mesazh të qartë për vazhdim të punës në çdo cep të vendit:

“Faleminderit për çdo votë! Faleminderit për besimin tuaj! Puna jonë vazhdon. Në çdo komunë, për çdo qytetar”!