Memli Krasniqi përkujton Afrim Bunjakun: Sakrifica e tij, shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar heroin e Kosovës, policin Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e vrasjes nga terroristët serbë në Banjskë.
Krasniqi, në një postim në Facebook, është shprehur se Bunjaku mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës.
“Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut. Por, dy vjet pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës. Lavdi e përjetshme heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën”, ka shkruar lideri i PDK-së.