Memli Krasniqi: Studentët nuk blihen me 100 euro! Të dielën le ta ndëshkojnë me votë!

Në një deklaratë të sotme, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi kryeministrin në largim për një tentativë të hapur blerjeje vote, pas shpërndarjes së 26 milionë eurove — 100 euro për student — vetëm pesë ditë para zgjedhjeve.
Krasniqi e përshkroi vendimin si shenjë paniku nga “humbja e madhe që e pret të dielën” dhe e konsideroi si një përpjekje për të manipuluar zgjedhjet pas katër vitesh, që sipas tij janë karakterizuar nga dështime në qeverisje dhe degradim i sistemit arsimor.
“I ftoj studentët që t’i marrin ato mjete — të cilat janë taksat e familjeve të tyre — por të dielën ta përdorin votën për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit,” tha Krasniqi, duke shtuar se studentët “as nuk blihen e as nuk shiten”.
PDK-ja dhe kreu i saj theksuan se ndihmat e fundit janë më shumë një manovër elektorale sesa një politikë e sinqertë sociale, dhe apeluan që vota e qytetarëve të jetë instrumenti për të dënuar atë që e quajtën “qeverisje e dështuar”.