Memli Krasniqi zyrtarizon rikandidimin e Shaqir Totajt për kryetar të Prizrenit: Me Shaqën, Prizreni është gjithmonë në punë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zyrtarizuar mbrëmë në një tubim madhështor në Prizren rikandidimin e Shaqir Totajt për një mandat të dytë si kryetar i Komunës së Prizrenit.
Në një atmosferë festive dhe entuziazmuese, përballë qindra qytetarëve dhe aktivistëve, Krasniqi vlerësoi lart punën katërvjeçare të Totajt, duke thënë se “Shaqa, duke nderuar epitetet e Prizrenit si qytet “historik” dhe ‘kulturor’, ia ka shtuar edhe dy të tjerë: ‘i punës’ dhe ‘i zhvillimit’.”
Kryetari i PDK-së theksoi se kudo që të lëvizësh në territorin e komunës, duken qartë rezultatet e angazhimit të kryetarit Totaj dhe ekipit të tij në shërbim të qytetarëve.
“Më 12 tetor, prizrenasit do ta kenë shumë më të lehtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Sepse me Shaqën, Prizreni është gjithmonë në punë”, përfundoi Krasniqi.
Shaqir Totaj synon një mandat të dytë në krye të një prej komunave më të rëndësishme të Kosovës, ku PDK-ja ka një histori të gjatë qeverisjeje dhe mbështetje të fuqishme qytetare.