75 Mall Live Search
13:20 / E Premte, 18 Nëntor 2022 / A. M.

Memorial për heroinat e Kaçanikut


Heroinat e Kaçanikut, Mukadeze Lika-Muhaxheri, Lumnije Raka, Jehona Raka dhe Emsale Frangu do të ketë një Memorial të vecantë. Kjo është konfirmuar nga deputeti i LVV-së, Milazim Salijaj.

No photo description available.

“Pjesëmarrja e vajzave dhe grave gjatë luftës së vitit 1998/99, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte për tu vlerësuar. Të tilla ishin edhe Heroinat nga Kaçaniku; Mukadeze Lika – Muhaxheri, Lumnije Sh. Raka, Jehona S.Raka dhe Emsale Frangu, të cilat ranë heroikisht më 9 Prill, të vitit 1999, së bashku me 24 ushtarë të tjerë të UÇK – së dhe 32 martirë të vrarë e të masakruar, në Rakoc dhe Lagjen e Re në Kaçanik. Duke e vlerësuar lartë kontributin e vajzave dhe grave në luftë për lirinë e atdheut, kam bërë kërkesë për ndërtimin e Memorialit për katër dëshmoret nga Kaçaniku.

Kërkesa për ndërtimin e Memorialit në shenjë nderimi e përkujtimi të përjetshëm për Heroizmin e tyre si ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është aprovuar dhe tanimë ndërtimi i këtij Memoriali është planifikuar në Projekt buxhetin  e vitit 2023, të cilin Projekt buxhet, dje e miratoi në parim Kuvendi i Republikës së  Kosovës,  me 64 vota PËR. Qytetit të Kaçanikut po i shtohet edhe një simbol i rezistencës, sakrificës dhe heroizmit të grave, nënave dhe motrave tona për lirinë e atdheut. Lavdi e përjetshme, veprës dhe heroizmit tē dëshmoreve të kombit që ranë për lirinë e atdheut”, ka shkruar ai. /Indeksonline/