Menaxhimi i pandemisë: UNDP-ja i dhuron pajisje mbrojtëse Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj COVIDIT-19 dhe në përputhje me mandatin për të zhdukur varfërinë dhe për të zvogëluar pabarazitë, siguroi sot 1,750 maska dhe 190 dezinfektues. Këto pajisje do të lejojnë që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas si edhe shtatë zyrat e saj rajonale të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë më efektive dhe të sigurt.
Valbona Bogujevci, ndihmëspërfaqësuese e përhershme dhe koordinatore e programit në UNDP, Anita Kalanderi, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe Ardian Latifaj, menaxher i projektit në UNDP ishin të pranishëm në dorëzimin që u bë në sheshin “Nënë Tereza”. Dorëzimi u zhvillua gjatë fushatës aktuale “Java e ndihmës ligjore” që është duke u zbatuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Gjatë pranimit të donacionit në emër të stafit, znj. Kalanderi, drejtoreshë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të UNDP-së, përfshirë edhe në kohë krizash të tilla si COVIDI-19. “Agjencia për Ndihmë Juridike Falas e konsideron UNDP-në partner shumë të rëndësishëm që ka mbeshtetë ANJF-në në vazhdimësi, që nga themelimi e deri tani. Me përkrahjen e UNDP-së iu mundësua qasje e barabartë në drejtësi qytetarëve në shumë komuna të Kosovës. ANJF-ja falenderon UNDP-në për donacionin e materialit i cili dhurohet në përkrahje të Javës për Ndihmë Juridike Falas. Ky donacion do të mundësojë mbrojtjen e zyrtarëve të Agjencisë por njëkohësisht edhe të përfituesve të ndihmës juridike falas që ia mësyejnë zyrave tona”, theksoi znj. Kalanderi.
UNDP-ja është e përkushtuar që të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës gjatë pandemisë për t’u mundësuar atyre ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e mbrojtjes së jetëve të njerëzve në mënyrë sa më efektive. “Puna e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, partnerit tonë të kamotshëm institucional, është thelbësore në sigurimin e qasjes në drejtësi për të gjithë, sidomos për më të cenuarit. Kjo është në përputhje me vizionin tonë për të siguruar që askush të mos mbetet pas, prandaj partneriteti dhe bashkëpunimi ynë me agjencinë për të përmirësuar jetesën e njerëzve është shumë i rëndësishëm”, vuri në dukje znj. Bogujevci.

Që nga shpërthimi i COVIDIt-19, UNDP-ja në Kosovë, si agjenci kyç e ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t’i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia, duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit. Ne kemi zhvendosur me nguti fokusin, duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet dhe duke riorientuar programin tonë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për të ndaluar përhapjen e virusit, mbrojtjen e njerëzve nga pandemia dhe ndikimet negative gjatë shpërthimit dhe për të ndihmuar në ripërtëritjen ekonomike dhe sociale në muajt në vazhdim.