75 Mall Live Search
16:51 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

“Menaxhimi me sukses i situatës, provë konkrete që FSK-ja dhe Kosova po tregojnë pjekurinë e duhur që të jenë pjesë e NATO-s”

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, me qëllim të informimit nga afër me nivelin e gatishmërisë operacionale të njësiteve të angazhuara të FSK-së, pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, vizitoi sot Regjimentin e Parë të Forcave Tokësore në Gjilan. Ministri Quni, gjatë vizitës u shoqërua nga stafi i tij dhe nga komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj.

Ministri Quni, me këtë rast, shprehu vlerësimin e lartë dhe inkurajoi pjesëtarët e Regjimentit  për përgatitjet e duhura, motivin dhe moralin e lartë të dëshmuar si gjithmonë në mbështetjen e plotë ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në përballje me sfidën aktuale që po kalojmë.

Në këto rrethana të jashtëzakonshme, ku është me rëndësi jetike shëndeti i pjesëtarëve  dhe i qytetarëve tanë, ministri Anton Quni, theksoi domosdoshmërinë që FSK-ja, të jetë e gatshme t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe gjithnjë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in.

Ndërsa, ministrin Quni, me planin e gatishmërisë, nivelin e koordinimit me komandën superiore,  veprimet e deritashme si dhe nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve njerëzore specialistike, materiale, teknike dhe mbështetjes logjistike të Regjimentit përkatës e njoftoi  zëvendës komandanti i Regjimentit të parë, major Kadri Berisha.

Menaxhimi me sukses i kësaj situate është edhe një provë konkrete se FSK-ja dhe Kosova po tregojnë pjekurinë e duhur institucionale dhe shtetërore që të jenë pjesë e NATO-s./Indeksonline/