75 Mall Live Search
20:00 / E Mërkurë, 21 Janar 2026 / AR

“Menduan se do vdisja pa…”, Monika Kryemadhi bën rrëfimin e ndjerë

Pas një vendimi që trazoi jo pak opinionin publik, Monika Kryemadhi ka zgjedhur të flasë hapur për ndryshimet që ka sjellë kjo fazë e re në jetën e saj. E ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ajo rrëfeu se shkëputja nga politika nuk erdhi si pasojë e presionit, por si një zgjedhje personale.

“Ata që mendojnë se kontrollonin politikën, nuk më donin në politikë, por unë vendosa vetë për t’u shkëputur, menduan se pa politikë do vdisja”, u shpreh Kryemadhi, duke iu referuar mesazheve thumbuese që ka marrë pas largimit.

Sipas saj, marrëdhënia me politikën ka ndryshuar rrënjësisht. Jo sepse identiteti i saj është shuar, por sepse ndjenja dhe pasioni për këtë arenë nuk janë më të njëjtat. “Përveçse më vdiq emocioni ndaj njerëzve të politikës, në veçanti ndaj gjithë ish- bashkëpunëtorëve të mi, por për pjesën tjetër jam shumë mirë”, tha ajo.

Megjithatë, Kryemadhi thekson se politika mbetet pjesë e pandashme e figurës së saj publike. “Politika nuk vdes tek unë, sepse dhe po të nis të kërcej si Selinë, njerëzit nuk do më identifikojnë si kërcimtare, por si politikane”, shtoi ajo, duke ironizuar perceptimin e publikut.

Në intervistë, ajo ndau edhe detaje nga rutina e përditshme, duke treguar se ka gjetur një ekuilibër mes angazhimeve personale dhe kujdesit për veten. “Palestrën e bëj të hënë, të mërkurë, të premte, që t’i balancoj, edhe Big, edhe SPAK dhe palestrën. Doktoresha ime në San Marino, është engjëlli im, sepse më edukoi që të kujdesem për shëndetin dhe trupin tim. Ajo më çoi dhe në palestër”, u shpreh Kryemadhi.

Sot, ajo e përshkruan veten si më të qetë dhe më të fokusuar tek jeta personale, duke lënë pas intrigat politike, por jo emrin që, sipas saj, do të mbetet gjithmonë i lidhur me politikën.