75 Mall Live Search
13:18 / E Premte, 06 Mars 2020 / indeksADMonline

Mentaliteti nështrues i shqiptarēve s’e duron lirinë

Shkruan, Fadil Maloku

  1. Shoqëritë gjithandej shqiptare, prej filleve të erërave të demokratizimit janë infektuar aq shumë me zvetënimin e rolit të qytetarit, sa që sot pas gati dy dekadave të testimit të vetvetes për (pa)pjekurinë e tyre, kanë ardhur në një pozicion, sa absurd (sepse, janë bindur gabimisht, se janë në rrugë të duhur), aq edhe naiv (sepse, kanë investuar më shumë në formë; legjislacion e norma kushtetuese, se sa në përmbajtje, pra, në; edukim dhe arsimim të qytetarit). Ky keqkuptim, i fuqizuar me aplikativitet masiv ka prodhuar një “fotosintezë” të deformuar dhe improvizuese sociale, për demokracinë dhe raportet demokratike brenda sistemit vleror mbindërtues shqiptar. I gjithë ky deformitet i (pa)vetëdijshëm, dy dekadash është “ushqyer” dhe mbërthyer nga shumë faktorë tjerë të jashtëm të përcaktuar nga kultura masive, arti masiv, politika masive, tjetërsimi masiv, vetëkënaqësia masive, hedonizmi masiv, kriminaliteti masiv, korrupsioni masiv, etj.
  2. Tani, këtë “masivitet” (frikohem edhe me dromca sindrome!) mjaft të turbullt padyshim, në sytë e publikut ende të papjekur sa duhet për “odisejadat dhe betejat” e reja të “pushtimit” të lirive të: qarkullimit të lirë, mendimit të lirë, gjykimit të lirë, tregtisë së lirë, etj., na duhet ta shërojmë me idenë e lirisë pozitive. Që nënkupton, lirinë jo në vetvete, jo tëhuajsuese, por “lirinë për diçka” që kërkon rikthim nga gjendja “që posedojmë… “në gjendjen” që jemi”. Kjo gjendje, që për popujt dhe vendet tjera të botës perëndimore, shpesh herë ishte edhe vetë “ferri” i emancipimit, por, edhe caku i asaj që shquhet dhe identifikohet si shoqëri shëndetmirë, ku, arsimi, shëndetësia, mediet, politika, kultura, etj. rrezatojnë liri pozitive, liri kreative kulturore vetanake dhe në mënyrë të pavarur.
    3.Pra, liria tillë nuk është “produkt”, që mund të konsumohet, sikurse çdo mall tjetër në tregun e jashtëm masiv. Ky tip lirie, as nuk mund të konsumohet (ashtu siç po mendojnë elitat aktuale; politike kulturore), as nuk mund të amputohet (sikurse; veshja, ushqimi, etj.), nga të tjerët! Ky tip lirie, thjesht bashkëlind me personin, kombin, e shtetin. Por, disa njerëz, kombe e sidomos shtete duke dashur tē ruajnē statuset e veta nënçmuese sociale e poliike, e refuzojnë qëllimisht lirinë e këtillë!