16:33 / E Premte, 11 Janar 2019 / indeksADMonline

Mënyra e re e financimit që po pëlqehet nga qytetarët në Kosovë

Në mënyrë që të mbulojnë shpenzimet urgjente, apo ndonjëherë të blejnë produkte shtëpiake në nevojë, qytetarët vazhdimisht po ju drejtohen institucioneve financiare jo-bankare (IFJB-ve) për financim të shpejtë, të cilat nuk kërkojnë ndonjë kolateral apo dokumente shtesë. Megjithëse këto institucione të licencuara dhe rregulluara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në bazë të volumit të marrëveshjeve dhe shumës së kredisë, janë ende të vogla krahasuar me bankat tradicionale, rritja e vazhdueshme e këtij sektori është indikatori më i mirë i rritjes së interesimit të qytetarëve për këto produkte.

Procedura tejet të thjeshta të aplikimit, shuma të vogla të kredive dhe akcesibiliteti për të gjithë qytetarët janë disa prej arsyeve kyçe që i bëjnë produktet e IFJB-ve të suksesshme kundrejt industrisë mikrofinanciare, ku shpeshherë vërehet mungesa e zhvillimit të produkteve dhe proceseve inovative për të plotësuar nevojat e klientëve, që tanimë ka sjell efekte negative nga konkurrenca e rritur në treg.

Gjatë kohërave, IFJB-të janë specializuar në shërbimin e kredive të shkurta dhe me shuma të ulëta, pa asnjë kolateral apo dokumente shtesë, duke u bërë kështu te qasshme nga të gjithë shtresat e popullatës në nevojë. Duke konsideruar që IFJB-të, në dallim prej bankave tradicionale, nuk mund të mbajnë fonde publike (depozita), ata financojnë aktivitet e tyre kredi-dhënëse duke u financuar nga institucione tjera financiare tradicionale. Bizneset IFJB kanë shpenzime të mëdha kapitale dhe, në botën e sotme, kërkojnë investime të mëdha në infrastrukture të IT-së, si dhe për zhvillim të rrjetit të degëve për të qenë konkurrues.

Historikisht tregu i huadhënies konsumuese është dominuar në masë të madhe nga bankat tradicionale dhe mikrofinancat, dhe, duke konsideruar se bankat tradicionale disbursojnë volume të larta të kredive dhe me afate të gjata për ripagesë, institucionet mikrofinanciare janë të vetmet që ofrojnë kredi më shuma më të ulëta për qytetarët. Investimi I rritur nga IFJB-të në zhvillim të produkteve dhe proceseve, si dhë rekrutimi aktiv I talentit më të mirë vendor në shërbim për klientë, ka rezultuar në konkurrencë të rritur për institucionet mikrofinanciare.

Vlen të theksohet se, megjithëse institucione me produkte të tilla janë të reja në Kosovë, produkte të tilla financiare janë zhvilluar në shumë prej shteteve tjera të botës, përfshi shtetet rajonale të cilat gëzojnë kompani të shumta në këtë treg.

Në të ardhmen, pritet që konkurrenca e rritur në tregun e kredive të vogla konsumuese të rezultojë në zhvillimin e produkteve financiare dhe ofertave për klientët në tregun e Kosovës. Meqenëse IFJB-të kanë treguar gatishmëri të investojnë në zhvillimin e produkteve për t’ju përshtatur kërkesave të tregut dhe për të tërhequr vëmendjen e klientëve deri tani, do të vihet në pyetje nëse institucionet mikrofinanciare, disa prej të cilave historikisht kane dominuar tregjet e kredive të vogla në mungesë të konkurrencës, do të mund të mbijetojnë dhe mbajnë bazën e klientëve vazhdimisht në rënie.