Mercedes E-Class me 1.6 mln kilometra të kaluara vazhdon si taksi në Shqipëri

Mercedes E-Class W124 është një “tank” në rrugë dhe një nga modelet më të fuqishme të markës gjermane të veturave.
Shembulli më i mirë për këtë vjen nga Shqipëria.
Bëhet fjalë për modelin E200, i prodhuar më 1993, i cili në fakt është i pari me emrin E-Class.
Me një motor 2.0 litërsh me katër cilindra, shembulli ndodhet në Shqipëri tash e 15 vjet pas importimit nga Gjermania.
Pronari i saj, Luan Nina, e përdor atë për taksi, ndaj nuk është çudi që makina ka kaluar pothuajse 1.6 milionë kilometra (më saktë, 1.584.589 kilometra). Pavarësisht kilometrazhit të madh, E-Class vazhdon të jetë i përdorshëm.
Luan Nina tha se vetura e tij besnike nuk ka ndërmend të dalë “në pension”.
Meqë ra fjala, çdo e treta makinë e regjistruar në Shqipëri është e markës Mercedes. Shumica e këtyre makinave janë mbi dhjetë vjeç të vjetra.