Mercedesi sjell S-Class-ën si robot taksi luksoz, nis operimin në Abu Dhabi
Mercedes-Benz-i ka prezantuar projektin e ri futuristik: shndërrimin e modelit S-Class në robotaksi pa shofer, një taksi luksoze që funksionon plotësisht në mënyrë autonome. Shërbimi pritet të nisë fillimisht në Abu Dhabi, ku Mercedes ka marrë lejet e para për operim.
Makina është e pajisur me teknologji të avancuar autonome Level 4, duke përfshirë kamera, radarë dhe sensorë LiDAR, që i mundësojnë lëvizje pa shofer në zona të caktuara, shkruan Auto Bild, transmeton IndeksOnline.

Projekti po realizohet në bashkëpunim me kompaninë kineze Momenta për sistemet e vetëdrejtimit dhe me kompaninë lokale Lumo, që do të menaxhojë flotën e robotaksive.
Mercedes synon të sjellë një përvojë premium në transportin autonom, duke e kombinuar teknologjinë më të re me luksin e S-Class.
Pas fazës së parë të testimit në Emiratet e Bashkuara, kompania pritet ta zgjerojë shërbimin edhe në tregje tjera ndërkombëtare.
Ky projekt e vendos Mercedes-in ndër prodhuesit e parë evropianë që sjellin robotaksi të nivelit të lartë në përdorim real./IndeksOnline/

