14:21 / E Enjte, 22 Tetor 2020

Mërgim Lushtaku – kundër martesave të gjinisë së njëjtë, LGBT-ja i shkon PDK-së para selisë

Deklarata e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili ka thënë se do të votojë kundër Projektkodit civil të Kosovës, meqë aty përfshihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë, s’është pritur aspak mirë nga komuniteti LGBT, në Kosovë.

Ai kishte thënë se këto lloj bashkimesh bien ndesh me bindjet e tij personale, prandaj “do të votoj kundër”.

“Ky model i martesës i sheh fëmijët si opsionalë dhe të parëndësishëm. Edhe ashtu në 5 vjetët e fundit kemi rënie të nataliteti. Edhe Merkel (Angela) kishte votuar kundër”, ka deklaruar Lushtaku.

Si kundër reagim, komuniteti LGBT ka mbajtur një aksion para zyrave të PDK-së në Prishtinë, transmeton Indeksonline.

Disa nga pjesëtarët, mbanin edhe pankarta në duar, ndërsa Lendi Mustafa, aktivist për të drejtat e komunitetit trans në Kosovë, si edhe transgjinori i parë në Kosovë, në FB shkruan:

Ku janë deputetët e PDK-së që gjatë fushatës parazgjedhore më thirrshin me pi kafe?

Dojshin me tregu sa shumë respekt kanë për mu dhe punën që e bëj, e me më kerku informata se si munden me na ndihmu tutje.

Tash, e keni mundësinë me reagu. E keni mundësinë me i eduku kolegët tuaj që e kanë zavendësu kushtetutën me Qur’an, e ligjet e Republikës së Kosovës me hadithe.

Tash, e keni mundësinë me dalë hapur në përkrahje dhe me kundërshtu deklarata të tilla, se neutraliteti kurrë punë s’ka kry.

Me neutralitet, po e përkrahni çiftin e Lushtakut.

Nëse shohim fushatë kundër martesave mes gjinisë së njejtë, dojmë me pa edhe fushatë në përkrahjen tonë, nëse përnime jeni në përkrahje.