19:36 / E Premte, 13 Tetor 2017 / indeksADMonline

Mërgimtarët vërshojnë Kërçovën për të votuar

Zgjedhjet Lokale në Maqedoni do të mbahen të dielën më 15 tetor, që janë shumë të rëndësishme edhe për shqiptarët në këtë vend.

Një numër i madh i mërgimtarëve kanë ardhur nga diaspora për të votuar në këto zgjedhje, veçanërisht në Kërçovë për kandidatin shqiptar, Fatmir Dehari, raporton albinfo.ch.

Mërgimtarët kanë treguar ekskluzivisht për albinfo.ch pse kanë ardhur në Kërçovë dhe sa janë të rëndësishme këto zgjedhje. Ata kanë ardhur në numër të madh për të votuar për kandidatin shqiptar nga BDI. Ai në vitin 2013 u bë kryetari i parë në këtë komunë.

Kumrije Vrangalla është shprehur shumë e lumtur që mërgimtarët kanë ardhur në Kërçovë për të votuar.

“Është një gëzim i madh kur i shoh gjithë këta njerëz në aeroplanë, që janë nisur të votojnë. Kjo tregon se mërgimtarët kërçovarë e duan Kërçovën dhe duan të jenë pjesë e suksesit të Komunës së Kërçovës”, është shprehur ajo për albinfo.ch.

Arben Salihu ka thënë është nisur me gjithë familjen për të votuar për Fatmir Deharin.

“Uskana është e jona dhe ne nuk duhet ta lëshojmë nga dora. Jam nisur me miq dhe gjithë familjen për të votuar Fatmir Deharin, sepse është dëshmuar se ka punuar për popullin e Kërçovës dhe kemi besim të madh në një të ardhme të sigurt dhe të përparuar”, është shprehur Salihu.

Për këto zgjedhje ka ardhur të votojë edhe politikani shqiptar, i cili jeton në Zvicër, Florim Kadriu.

Ai ka lindur në Zvicër, por ishte kthyer në Kërçovë deri në vitin 2002, kurse tani është anëtar në partinë SP (Sozial-Demokratische Partei) ku ishte edhe kandidat për parlamentin kantonal në Aargau.

“Komuna e Kërçovës për herë të parë më 2013 u qeveris me vullnetin e lirë të qytetarëve nga një shqiptar dhe ka përjetuar një modernizim të infrastrukturës së saj brenda këtyre katër viteve si asnjëherë më parë. Jam sot si gjithë mërgimtarët në përkrahje të suksesit të Kërçovës dhe pres në shkëmbim të votës angazhim dhe transparencë maksimale në proceset e komunës, konsolidimin e pushtetit lokal, që nënkupton avancimin e mirëkuptimit midis etnive dhe bashkëpunim produktiv midis forcave politike”, ka thënë Kadriu.