19:34 / E Martë, 04 Tetor 2022 / k.v

Mërgimtari e rindërton odën në Shajkoc për të ruajtur traditat: “Shumë na mungon, e kemi të vështirë t’ia kthejmë shpinën” (Video)

Odat njihen si dhoma të zakonshme tradicionale. Mikpritja, atdhedashuria si dhe trimëria dikur frymonin në këto oda shqiptare, madje aty merreshin edhe vendime të rëndësishme nga të parët e fisit.

Oda e famshme në fshatin Shajkoc të Podujevës, në familjen Agushi, djemtë e të ndjerit Shefki Agushi, kanë rikthyer traditat e të parëve të tyre.

Faton Agushi i cili jeton dhe vepron jashtë vendit, tregoi dëshirën e madhe për traditat e vjetra. Ai tha se së bashku më vëllezërit ka vendosur të krijojë këtë odë në kujtim të kohëve të vjetra.

“Ideja na ka ardhur, pasi e kemi mbajtur traditën, ka pasur babëgjyshi odë, baba, kështu që edhe ne kemi vendosur të mbajmë traditën e tyre, për të mos e humbur”, tha ai.

Agushi bëri të ditur se odat e të parëve të tyre janë shkatërruar nga pushtimi serb.

“Po, po janë shkatërruar, kanë qenë të moçme, si në kohën e vjetër që që i kanë ndërtu. Ne kemi vendosur të ndërtojmë të re, për t’i mbajtur traditat e babëgjyshit dhe babës”, theksoi Agushi.

Sipas tij, investimet kanë qenë të mëdha por ja ka vlejtur.

“Investimi ka shkuar shumë por më rendësi jemi ndarë të kënaqur ne vëllezërit. E kemi bërë këtë investim qe të mblidhemi ne fisi së bashku këtu dhe të kalojmë disa kohë si në kohën e vjetër dhe të krijojmë lojëra si atë kohë”, ka deklaruar ai.

Ai tha se jeton jashtë vendit porse malli për vendlindje është i madh.

“Zakonisht gjatë vikendit, çdo të shtune mblidhemi këtu së bashku, bëjmë muhabete, luajmë taman si në kohën e vjetër”, tha ai duke shtuar se dëshira më e madhe e tij është kur të vije në Kosovë dhe të mblidhen e gjithë familja.

“Mezi presim të vijmë këtu ta bëjmë një pushim, të bëhemi bashkë në këtë konak dhe të bashkëbisedojmë mes veti”, ka thënë Agushi.

Ai kujtoi edhe disa momente nga fëmijëria e tij në odat e vjetra të të parëve të tij.

“Si fëmijë e mbajë në mend se rrinim pas dere në odë, sepse nuk kemi guxuar atëherë, ka qenë muhabeti më ndryshe, është dasht me hy ngadalë, më këqyrë a po të bërtet dikush që hyre apo jo. Më së shumti kemi qëndruar pas dere dhe kemi dëgjuar”, u shpreh ai.

Edhe pse oda e tyre është ndërtuar pas luftës dhe e gjitha me materiale të reja, Agushi bëri të ditur se janë munduar të mbajnë edhe traditat.

“Oda e atëhershme ka qenë taman e kohëve të lashta, me baltë e tulla, ndërsa ne tashme e kemi bërë më ndryshe. Tani këto dizajnët i ka nxjerrë vëllai që jeton në Amerikë”, tha Agushi.

Ai tregoi se si familjarët kanë dhuruar sende të ndryshme tradicionale, të vjetra për të dekoruar odën e tyre. Ndërsa bëri të ditur se ju mungon ky vend dhe e kanë të vështirë ta lenë prapa.

“Shumë na mungon, e kemi shumë të vështirë t’ia kthej shpinën”, ka thënë ai./IndeksOnline/