16:03 / E Mërkurë, 01 Shtator 2021 / LB

Merkel në Tiranë më 14 shtator

Dy javë para se t’i japë fund epokës 16-vjecare si kancelarja gjermane, Angela Merkel do të vizitojë Tiranën.

Me 14 shtator, ajo do të drejtojë takimin e liderëve te Ballkanit Perëndimor si pjesë e një procesi që njihet si procesi Berlinit e që ajo e inicioi në vitin 2014.

Mbajtja e samitit në Tiranë i është konfirmuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në forumin strategjik që po mbahet në Bled të Sllovenisë ku marrin pjesë disa kryeministra dhe presidentë të vendeve te BE dhe liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e organizuar nga Sllovenia, e cila është kryesuesja e radhës e BE-së merr pjesë Rama, i cili shoqërohet nga Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Çështja që ka zënë vendin më të madh të diskutimeve  në këtë forum ka qenë kriza e krijuar në Afganistan. E presidenti i Parlamentit Evropian në fjalën e tij nuk e ka fshehur zhgënjimin për faktin se për të strehuar afganët kanë shprehur gatishmërinë vende që s’janë në Be, siç është rasti i vendit tonë dhe asnjë vend anëtar i unionit s’ka bërë të njëjtën gjë. Sassoli ka kërkuar vëmendje dhe për Ballkanin Perëndimor ndaj vendeve të të cilit sipas tij BE ka përgjegjësi historike.

“Nga Tirana në Beograd, nga Shkupi në Sarajevë, nga Prishtina në Podgoricë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e historisë sonë. Ne ndajmë një identitet të përbashkët evropian. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të gatshëm për t’u angazhuar në procesin e pranimit me secilin nga këto vende, bazuar në përparimin dhe ambiciet e tyre. Çdo vonesë ose hezitim rrezikon të luajë lojën e fuqive të tjera. Ka ardhur koha për të injektuar energji të re në procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”./tvklan